Anëtarët e Amnesty International në Zvicër miratuan një rezolutë në asamblenë e tyre të përgjithshme, ku kërkuan përpjekje të mëtejshme të autoriteteve zvicerane për të mbrojtur ish-raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Martyn.
Në asamblenë e përgjithshme virtuale, Amnesty i bëri thirrje qeverisë zvicerane që të përdorë të gjitha mjetet diplomatike dhe ligjore në dispozicion për t’i dhënë fund kërcënimit ndaj Martyt.
“Siç duket, prokuroria federale deri më tani nuk ka bërë asnjë kërkesë për ndihmë juridike tek autoritetet gjyqësore serbe. Qeveria gjithashtu nuk duket se ka ndërmarrë ndonjë hap diplomatik efektiv për të rritur mbrojtjen e Marty-t”, është thënë në rezolutën e Amnestyt.
Drejtoresha e Amnesty International në Zvicër, Alexandra Karle, bën thirrje për mobilizim më të madh të shtetit.
“Dick Marty është angazhuar për dekada në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Është detyrë e shtetit ligjor të mbrojë qytetarët e tij dhe të përdorë të gjitha mjetet juridike dhe diplomatike për t’i dhënë fund një situate të tillë kërcënimi”, tha Karle.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Zvicër njoftoi sot se autoritetet përgjegjëse zvicerane ishin në kontakt me autoritetet serbe në nivele të ndryshme. Në veçanti, Zyra Federale e Policisë ka iniciuar një shkëmbim informacioni me autoritetet policore serbe në nivel policor, raporton Bz, transmeton Klankosova.tv.
Tashmë janë zhvilluar shkëmbime dhe takime ndërmjet policisë kriminale federale të Fedpol-it dhe autoriteteve policore serbe.
Marty javë më parë kishte akuzuar Shërbimin Sekret Serb, se po tentojnë të bëjnë komplot për një atentat ndaj tij, në mënyrë që më pas Serbia ta përdorë këtë për të akuzuar autoritetet kosovare për vrasjen e tij.
Më 18 dhjetor 2020, ish-prokurori Dick Marty mori një telefonatë nga policia federale, e cila e informoi atë se kërcënohej me vdekje dhe se do të vendosej menjëherë nën mbrojtje të lartë policore. Në atë kohë, policia besonte se ai duhej të vendosej nën shkallën e mbrojtjes 5, më e larta, të cilën ai e refuzoi, sepse do të nënkuptonte se do të ndryshonte emrin dhe do të zhdukej. Është zbatuar shkalla 4, e cila që atëherë ka kërkuar mbikëqyrje intensive të shtëpisë së tij dhe lëvizjeve të tij.