Ekipi i Kosovës në pikado nuk do të mund të paraqitet për herë të parë në Kampionatin Evropian të këtij sporti. Arsyeja e mungesës së ekipit të pikados në këtë ngjarje të madhe, që do të mbahet në qytetin Benidorm të Spanjës (10-17 qershor), është mospajisja me viza nga Ambasada e Spanjës me seli në Shkup. Në përgjigjen e Ambasadës së Spanjës thuhet se shteti i tyre nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe për këtë arsye nuk e ka pajisur ekipin kosovar me viza për pjesëmarrje në Evropian.
Në Federatën e Pikados të Kosovës (FPK) kanë bërë të ditur se i kishin bërë gati të gjitha përgatitjet për t’u paraqitur në këtë Evropian, i cili do të ishte i pari për garuesit kosovarë. Megjithatë, kanë mbetur të befasuar që Spanja ua ka refuzuar vizat, me gjithë ftesën që e kishin nga Federata Evropiane e Pikados, nën ombrellën e së cilës mbahet turneu në qytetin spanjoll. Kosova ishte bërë gati të paraqitej me një garues në këtë Evropian, i cili nis javën e ardhshme: Selami Latifi.
Në FPK insistojnë se mungesa në këtë Evropian është një mundësi e madhe e humbur pasi kanë pritur suksese nga garuesi Latifi.
“Jemi shumë të zhgënjyer dhe të habitur që nuk jemi pajisur me viza nga Ambasada e Spanjës, me gjithë ftesën që e kishim nga Federata Evropiane e Pikados, e cila është e këtij turneu. Në përgjigjen e Ambasadës spanjolle thuhet se Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe për këtë arsye na është refuzuar viza, si dhe pjesëmarrja në Kampionatin Evropian”, ka thënë Visar Prelvukaj, nënkryetar i FPK-së.
“Ne ishim maksimalisht të përgatitur në çdo aspekt për pjesëmarrje në Evropian, i cili do të ishte turneu i parë i madh për garuesit nga Kosova. Madje kemi pritur një paraqitje shumë të mirë, mos të them edhe medalje”.
Federata e Pikados së Kosovës është anëtare e Federatës Evropiane të Pikados prej muajit prill të këtij viti. FPK-ja është themeluar në vitin 2019 dhe deri më tani në gjirin e saj i ka nëntë ekipe dhe rreth 200 garues.