Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka adresuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Kurti për fotografinë e përbashkët me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, emisarin Lajçak si dhe dy zyrtarët gjermanë në Berlin.
Gjoshi në një postim në Facebook e ka quajtur atë “fotografi të nënshtrimit” të kryeministrit të Kosovës përballë presidentit serb.
Sipas tij, Kurti nuk do të duhej të pranonte të dilte në një foto si kjo, ngase sipas Gjoshit, pozicioni që i është dhënë president serb, është zhvlerësim i pozicionit të Kosovës.
Postimi i plotë i Gjoshit:
Kjo është një fotografi e nënshtrimit të Kryeministrit të Kosovës përballë Presidentit të Serbisë.
Albin Kurti, kurrsesi nuk do të duhej të pranonte të dilte në një foto si kjo.
Pozicioni që i është dhënë presidentit serb është zhvlerësim i pozicionit të Republikës së Kosovës.
Nga deklaratat e shumta se Kosova do të llogaritet palë e barabartë në dialog, Kurti ka përfunduar në krahë të Vuçiqit.