Partia Demokratike e Kosovës i ka vënë ultimatum pushtetit që të votojë për krijimin e Komisionit Hetimor për sektorin energjetik të vendit.
Shefi i deputetëve të këtij subjekti politik, Abelard Tahiri, ka kërkuar që ky Komision Hetimor të përkrahet nga mazhoranca dhe të futet
Nëse jo, atëherë ai shtoi se nuk do t’i përkrahin marrëveshjet ndërkombëtare.
“Si GP i PDK-së, si propozues i komisionit hetimor lidhur me zhvillimet energjetike, i cili është përkrahur nga 40 deputetë. Tashmë kjo është një garanti kushtetuese. Ne kërkojmë që të gjitha GP ta përkrahin këtë mocion procedural, të jetë si pikë e parë e rendit të ditës, sepse nuk kërkon më shumë se 10 minuta të përfundojë ky formalitet dhe pastaj komisioni hetimor ta bëjë punën e tij”, tha ai.
Tahiri shtoi se “ne kërkojmë që të futet në rend të ditës formimi i komisionit hetimor dhe pastaj të vazhdojmë me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.
Për këtë, ka reaguar shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka deklaruar në seancën e Kuvendit të Kosovës se “neve na intereson se çfarë përbërje ka ky komision”.
“Nuk përmendet fakti që 40 deputetët nënshkrues janë iniciues. Ne na intereson se çfarë përbërje ka ky komision. Në rrethanat aktuale pamundësohet funksionalizimi i komisionit hetimor përderisa të gjitha partitë opozita janë iniciuese të komisionit hetimor, ndërsa me ligj, asnjë nga deputetët e pozitës nuk mund të jenë kryesues i komisionit hetimor parlamentar”, shtoi ajo.
“Prandaj, në këtë kufizim ligjor, bazuar në praktikën e mëhershme të Kuvendit, konkretisht atë të vitit 2018, kur nënshkrues ishin deputetët e LDK-së dhe LVV-së, asokohe, u tha se deputetët e dy partive, janë nënshkruese të komisionit hetimor, nuk mund të themelohet komisioni hetimor, për arsye se nuk mund të udhëhiqet nga deputeti i njërit GP që është iniciues i komisionit hetimor”.
Pas kësaj, iu kundërpërgjigj përsëri Tahiri, i cili tha se nëse nuk përkrahet me votë vendosja e komisionit hetimor në rend të ditës, atëherë “do të hyjmë në një cikël jo të mirë”, duke shtuar se nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare apo ligjet që do të hidhen në Kuvendin e Kosovës.
“GP i PDK-së kërkon që ky mocion procedural të kalojë me 2/3 e deputetëve të pranishëm. Unë ia rikujtoj zonjës Kusari, që PDK-ja, është propozuese e këtij komisioni hetimor, as LDK-ja e as AAK-ja. Neve si GP nuk na takon drejtuesi i këtij komisioni. Nëse ju mendoni se po bëjmë shkelje kushtetuese, ju inkurajoj që t’iu drejtoheni Gjykatës Kushtetuese. Kjo është e thjeshtë, 40 nënshkrime. Nuk po propozojmë, është caktuar, është formalitet propozimi i emrave dhe i kryesuesit”, u shpreh ai.
“Pra, mos me prishë harmoninë e këtij Kuvendi, votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ne si GP i PDK-së, duke qenë në opozitë dhe konstruktivë, si në votimin e marrëveshjeve tjera, i kërkojmë mazhorancës, që të përkrahë me votë vendosjen në rendin e ditës të këtij mocioni procedural themelimin e komisionit hetimor. Përndryshe, do të hymë në një cikël jo të mirë të punës sonë si Kuvend si mos-votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, mos-votimi i ligjeve nga ana e opozitës dhe nuk besoj që kjo i intereson dikujt. Ky komision hetimor është i rëndësishëm pasi kemi parë shumë parregullsi”, theksoi Tahiri.
Edhe Arben Gashi i LDK-së ka thënë se e përkrahë themelimin e komisionit hetimor, që është iniciuar nga PDK-ja.