“Ndalimi i liturgjisë sot në mëngjes në kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë është shkelje e të drejtave themelore të njeriut të komunitetit serb në Kosovë”, ka thënë kryetari i Listës Serbe dhe ministri i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiq, pasi policia nuk ka lejuar që serbët të hyjnë në këtë kishë jofunksionale e cila gjendet në pronën kontestuese.
Rakiq këtë veprim e vlerëson si “goditje direkte ndaj të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë”. Ai thekson se “rastet e tilla i konsideron si të kaluara” dhe se popujt që jetojnë në Kosovë duhet të punojnë në ndërtimin e pajtimit të ndërsjellë dhe respektimin e fesë së të gjithëve
Megjithatë, shton ai, “ky veprim është vetëm një tregues se nuk është kështu. Çfarë ka ndodhur mëngjesin e sotëm me klerikët dhe besimtarët, të cilët përveç festimit të festës së madhe, nuk kishin qëllim tjetër, nuk është veçse një mesazh i keq, por edhe alarm i kuq për komunitetin ndërkombëtar”, ka pretenduar ai.
Rakiq konsideron “se nuk ka barazi mes popujve të Kosovës” dhe se “ky akt dërgon një mesazh të qartë se serbët nuk mund të predikojnë lirisht besimin e tyre në faltoret e tyre”.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe kryetari i Listës Serbe thotë se përfaqësuesit serbë “do të duhet të luftojnë edhe më me vendosmëri që kambanat nga kishat serbe të dëgjohen kudo që ekzistojnë”.