Vetëm për tre muaj, Ambasada e Zvicrës lëshoi mbi 10 mijë e 400 viza për kosovarët
Marrja e rrugës drejt Evropës, por edhe më larg, vazhdon të jetë një prej vendimeve më të shpeshta të qytetarëve të Kosovës.
Ndër vite, numri i të rinjve që po e shohin zgjidhje ikjen nga Kosova po vazhdon të rritet. Shteti i Kosovës vazhdon të jetë nga të paktët vende në botë që ende nuk ka liberalizim të vizave, edhe pse Kosova për më shumë se 4 vite i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.
Për ta kuptuar numrin e kosovarëve që kanë aplikuar për vizë në ambasadën e Zvicrës brenda tre mujorit të parë të këtij viti, lajmi.net ka kontaktuar Ambasadën e Zvicrës në Kosovë.
Nga kjo ambasadë kanë bërë të ditur se për tre muaj, janë dhënë 10 mijë e 441 viza për kosovarët, 523 prej të cilave për qëndrim afatgjatë, që përfshijnë vizat e punës, të bashkimit familjar, përgatitje për martesë e të tjera.
“Janë lëshuar 523 viza për qëndrime afatgjatë si puna, bashkimi familjar dhe përgatitjet për martesë. Në vitin 2021 janë dhënë 17215 viza.”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
E numër mjaft i lartë i vizave që janë dhënë nga kjo ambasadë ishte edhe në vitin 2021. Ambasada e Zvicrës ka bërë të ditur se në vitin 2021 janë dhënë gjithsej 17 mijë e 215 viza.
“Për vitin 2021 janë dhënë 2522 viza për qëndrime afatgjatë si punë, bashkim familjar, përgatitje për martesë.”, theksohet tutje në përgjigjen e ambasadës zvicerane.
Përpos kësaj, Ambasada e Zvicrës ka bërë të ditur se shumica e vizave të lëshuara për kosovarët janë të llojit C, apo për qëllim të vizitave familjare.
Kurse sa i përket vizave të llojit D, ku hyjnë bashkimi familjar, viza pune dhe viza studentore më së tepërmi ka për bashkim familjar.
“Shumica sosh janë viza të llojit C të lëshuara për qëllime vizitash familjare, ndërsa sa u përket vizave të llojit D (bashkim familjar, viza pune, viza studentore) – 95% sosh janë lëshuar për bashkim familjar