Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u ka thënë serbëve se pas deklarimit të presidentit rus, Vladimir Putin, se njëjtë si Kosova edhe dy republikat separatiste në Ukrainë duhet të njihen si shtete, situata për Serbinë ka ndryshuar për keq.
Në një konferencë për media, në fjalimin që tha se e ka ndër në 10 pika, pikën dy e kishte rezervuar për të folur rreth Kosovës.
“Situata jonë ka ndryshuar për keq, edhe pas deklaratave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Jo sepse kishte për qëllim të dëmtonte Serbinë, por e ngriti çështjen e Kosovës në një mënyrë tjetër, për të mbrojtur interesat e rusëve”, deklaroi Vuçiç.
Sa i përket takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe më pas edhe me Albin Kurtin dhe Miroslav Lajçakun e Bashkimit Evropian, Vuçiç deklaroi se ka pranuar çkado që i ishte kërkuar.
Këtë thotë se e bëri lehtësisht, pasi e dinte se pala tjetër (Kosova) nuk do të pranonte asgjë që pranon Vuçiç.
“Ata (pala kosovare) gjithashtu refuzuan të hartonin një deklaratë të përbashkët. Ata kërkuan që të hiqej një fjalë, pastaj të hiqej një fjali. Unë, pranova gjithçka, duke e ditur se ata nuk do të pajtoheshin”, deklaroi Vuçiç.
Ai e ka komentuar edhe kryeministrin Kurti, ka deklaruar se ai po e imiton kryeministrin e Ukrainës.
“Ta keni në mendje se e gjithë politika sot ka ardhur në faktin se shumë do të donin të luanin Zelenskyin vendas, të luanin viktimën”.
Vuçiç: FSK-ja është parë në Veri
Vuçiç ka lëshuar edhe pretendime se Forca e Sigurisë së Kosovës është parë në Mitrovicë të Veriut, duke e dhënë kështu si fakt se Kosova nuk po respekton marrëveshjet e nënshkruara më herët.
“Këto janë fotografitë e djeshme apo të pardjeshme, një veturë me targa të FSK-së në Mitrovicën e Veriut. Ata nuk kanë marrë pëlqimin e asnjë kryetari komune nga veriu i Kosovës. Ata po shkelin të gjitha marrëveshjet që kanë nënshkruar. Ata po provokojnë serbët për të shkaktuar incidente”, pohoi presidenti serb.
Vuçiç, duke ndërtuar akuzën e tij, tha se përveç se ndodhin këto zhvillime, askush në perëndim nuk po reagon.
“Ne e dokumentojmë shumë mirë çdo incident, çdo sulm ndaj serbëve. Ne dokumentojmë shkeljet e të gjitha marrëveshjeve. Pozicioni ynë nuk është mjaftueshëm i fortë, sepse jemi mjaft të vetmuar në këtë arenë politike. Nuk kemi çfarë t’i themi askujt, sepse të gjithë janë në anën tjetër”.
Si çështje të fundit, në pikën e fjalimit për Kosovën, ka folur për kërkesën e Kosovës që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
“Gjermania i ka mbështetur. Ne tash nuk mund të qëllojmë veten në këmbë dhe të themi paraprakisht se cili do të jetë reagimi ynë. Për këtë do të vendosim në parlament”.
Vuçiç ka kërcënuar se po provoi Kosova zyrtarisht të arrijë këtë anëtarësim, atëherë “përgjigja jonë do të jetë shumë më e fortë dhe ne do të mbrojmë vendin tonë dhe kushtetutën”.
“Nuk do të bëhet fjalë për armë apo njoftime, por për ofensiva të forta diplomatike. Ka të bëjë me politikën dhe diplomacinë, asgjë tjetër”.